Stela sata: Sekretet për portrete të vërteta

Rubrika #SPM_COFFEE_TALK sjell historitë e fotografëve që kanë kohë që e kanë nisur rrugëtimin e tyre — dikur pjesë e Kursit PRO, sot po ndërtojnë stilin dhe karrierën e tyre me pasion.

Këtë herë, ju prezantojmë Stelën, një fotografe që beson se çdo portret është një mënyrë për të ndalur kohën dhe për të parë bukurinë në çdo detaj.

☕ Lexoni intervistën e plotë në blog dhe frymëzohuni nga rrugëtimi i saj!

Kënaqësia ishte e jona që u njohëm me Stelën, falë Kursit PRO.

Që nga momenti i certifikimit ka kaluar më shumë se një vit, por diçka ka mbetur e pandryshuar: punimet e saj vazhdojnë të tregohen si shembuj për studentët që nisin sot rrugëtimin e tyre në fotografi.

Edhe sot admirojmë portretet që Stela ka realizuar atëherë — dhe ato që vazhdon të krijojë me po të njëjtin pasion.

- Stela, është kënaqësi që pranove të bëjmë një bisedë. Më trego pak për momentin kur vendose të bëheshe fotografe. Çfarë ishte ajo ‘shkëndija’ që të bëri të vendosësh se ky ishte hapi i duhur?

- Që kur isha shumë e vogël, fotografia më ka tërhequr si një mënyrë për të parë botën pak më ndryshe. Fillimisht ishte vetëm një lojë e bukur, jo diçka që e mendoja si profesion. Gjithçka ndryshoi në shkollë të lartë, kur më ra në dorë një aparat fotografik. Në atë moment ndodhi “shkëndija”. Kuptova që më pëlqen të ndal kohën. Të kap emocionet dhe historitë që fshihen brenda një çasti. Fotografia u bë mënyra ime për t’i kthyer momentet në kujtime dhe për t’i dhënë vëmendje bukurisë së vogël që shpesh kalon pa u vënë re.

- Cili ishte synimi yt kryesor kur fillove këtë rrugëtim? E kishe parashikuar të arrije këtu ku je sot, apo ndryshoi vizioni gjatë rrugës?

- Synimi im kryesor ka qenë dhe mbetet të krijoj identitetin tim si fotografe. Të ndërtoj një stil dhe një emër që kur dikush sheh një foto të thotë “kjo është bërë nga Stela”. Nuk mendoj se kam arritur ende atje ku e imagjinoja veten, por kam hedhur hapat e parë dhe jam shumë e motivuar të ec përpara. Kjo rrugë sapo ka filluar për mua.

- Si e përshkruan stilin tënd të fotografisë në pak fjalë?

- Stili im është i ngrohtë dhe i vërtetë. Nuk e kërkoj transformimin, por nxjerrjen në pah të asaj bukurie që njerëzit tashmë e kanë brenda vetes. Më pëlqen që fotot e mia të ndihen natyrale dhe të ruajnë emocionin e çastit.

- Gjatë kursit, kush janë disa nga momentet ose praktikat e tua të preferuara, apo ajo temë që thellove më shumë njohuritë e tua? Cila ishte më sfiduesja?

- Gjatë kursit u thellova shumë në botën e fotografisë dhe në komunitetin e saj. Një nga praktikat e mia të preferuara ishte fotografia portret në natyrë. Ishte diçka që e njihja në teori, por që tani mund ta provoja në praktikë. Menaxhimi i situatave në ato momente ishte sfidues, por njëkohësisht shumë i bukur dhe më mësoi shumë për veten dhe stilin tim.

- Tani që ke përvojë reale, ku ndihesh më komod/e të punosh? Nga portretet që ke realizuar, kush është më lehtë i menaxhueshëm ose më i preferuar për ty? Portrete në natyrë (Outdoor) apo në studio?

- Për mua, portretet në studio dhe ato në natyrë janë dy eksperienca shumë të ndryshme. Në studio pothuajse 90% e situatës është e menaxhueshme, ndërsa në natyrë gjithmonë ka surpriza. Megjithatë, gjithmonë do të zgjidhja natyrën. Kur arrin të menaxhosh situatat e papritura, shpesh lindin projekte akoma më të bukura, interesante dhe spontane. Për më tepër, klientët ndihen më të lirë dhe më rehat në natyrë, gjë që reflektohet në rezultatet e fotosesioneve.

- Në punimet e tua kam vënë re që fotografon më shumë gratë. Si e ke gjetur veten në këtë fokus?

- Ashtu si tek pyetjet e mëparshme, unë dua të nxjerr bukurinë që ekziston tashmë. Tek gratë gjithmonë kam parë origjinalitetin, bukurinë dhe çdo detaj që na bën unikë. Më pëlqen dhe më bën të ndihem mirë kur shoh buzeqeshjet e tyre, kur pas fotosesioneve shikojnë fotot dhe thonë: “Unë jam ajo!” Kjo është gjithçka që mund të kërkoj nga një portret.

- Ne, gocat, rallë kënaqëmi me pamjen tonë. Si arrin t’i menaxhosh vajzat dhe gratë kur fotografohen, veçanërisht në lidhje me pranimin e vetes? Cili është sekreti yt për t’i bërë të ndihen rehat dhe të besojnë te kamera?

Gjithmonë, në çdo fotosesion mundohem që personi përpara meje të ndihet mirë me veten e tij para se të fillojmë të fotografojmë. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse reflektohet drejtpërdrejt në rezultat. Mendoj se çdo gjë fillon nga pjesa e përgatitjes: ua shpjegoj se si do të zhvillohet sesioni, si të pozicionohen, si të nxjerrim anët e tyre më të bukura, dhe sigurohem të jap shumë komplimente. Kështu krijohet besimi dhe relaksi, dhe fotot dalin më të gjalla dhe natyrale.

- Për studentët që po bëjnë të njëjtin rrugëtim sot, kush janë disa nga këshillat më të rëndësishme që do t’u jepje, bazuar në përvojën tënde pas mbarimit të kursit?

- Mendoj se gjëja më e mirë që mund të bëjnë pas kursit është të praktikojnë sa më shumë. Vetëm kështu mësimet që kanë marrë nuk harrohen dhe, njëkohësisht, zbulohen mënyra të reja për të krijuar. Gjatë këtij procesi fillon të formohet edhe stili personal, që për mendimin tim është gjëja më e rëndësishme pasi mbaron kursi.

- Cilat janë planet e tua afatshkurtra dhe afatgjata në botën e fotografisë? Ku e sheh veten pas 5 vitesh si profesionist?

- Gjatë periudhës afatshkurtër dua të fokusohem kryesisht në praktikë dhe përvetësimin e mësimeve që kam marrë, si dhe në ndërtimin e një klientele të kënaqur. Fokus primar për momentin është përmirësimi i vazhdueshëm dhe që çdo klient të largohet i lumtur. Në planin afatgjatë, e shoh veten duke ndjekur rrugën drejt hapjes së një studioje dhe duke punuar në fotografi komerciale, jo vetëm portrete personale. Studioja do të jetë një vend ku mund të ndihem e plotësuar si fotografe, edhe pse për momentin fokusimi im mbetet përmirësimi dhe një klientelë e kënaqur.

Next
Next

Trajnerët e tu në Kursin PRO